Ndonjëherë habitem vërtetë me numrin e madh të shkrimeve dhe autorëve që botohen në shtypin shqiptar. Disa janë paçavure, të tjera janë perla - dhe deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, jemi popull që na pëlqen të japim qoftë dhe vetëm ato dy pare mend mbi gjërat. Por në këtë numër kaq të madh opinionesh dhe opinionistësh veçohen disa që janë të një rrace të veçantë. Këta janë "analistët elitarë", super-prodhimtarë, që përveç hapsirave të shtypit, kanë në dispozicion edhe ekranet televizivë. Në këtë shkrim termi "analist" përdoret lirshëm për ata koka-folëse në televizion të cilët janë klientët e politikës, zëdhënësat de facto të partive, që analizën e tyre politike e shesin si personale, ndërsa vërtetë përcjellin interesa politikë të krahëve përkatës ku militojnë. Ka një pandershmëri tashmë virtuoze në daljet e tyre publike, një mungesë sinqeriteti dhe integriteti që ta shpif, e së paku kjo, duhet thënë herë pas here.
 
Edhe më parë kam shkruar për opinionistët, apo analistët siç ua ka kënda t'i quajnë. Shkruar kam për ta, jo sepse më nxit fjala e tyre pasion për të diskutuar, as sepse me opinionin e tyre më grishin në debat - aspak. Këta njerëz, nuk më ngjallin asnjë pasion. Gjithnjë e më në të rrallë i ndjek, qetësisht dhe në mënyrë të zbrazët nëpërmjet ekraneve televizivë të cilët prezenca e tyre i çon dëm. Analistët janë aty për ta përtypur ushqimin mendor përpara se shqiptarët ta kapërdijnë. Ata ofrojnë falas mençurinë e tyre të çmuar, të vërtetën që ata preferojnë, cinizmin e tyre të paketuar, të gatshëm për konsum publik. Ia ushqejnë një populli i cili falë tyre nuk ka më nevojë të mendojë për veten e tij. Në studiot e Fevziut, Ballës, Xhungës, Çanit dhe praktikisht në çdo studio tjetër televizive ku diskutohet politikë, analistët e mirënjohur janë gjithmonë të pranishëm për të filtruar opinionin publik, e siç ndodh me filtrat, papastërtitë mblidhen të gjitha në ta.

Profesioni i analistit nuk lindi, dhe as nuk do të vdesë në Shqipëri dhe problemi nuk qëndron asfare me këtë profesion të dobishëm për shoqërinë. Problemi qëndron kur analistin e bëjnë një grup njerëzish të lidhur politikisht dhe ekonomikisht me strukturat e pushtetit politik. Njëra palë e analistëve përfaqëson Partinë Demokratike, pala tjetër mbështet Partinë Socialiste - po ne të tjerëve?, masën e madhe të publikut që jo domosdoshmërisht e lidh interesin e vet me ndonjërën nga strukturat politike, kush do ta përfaqësojë? Kush do të flasë për interesin mbarëpopullor kur hapësirat mediatike mbeten të uzurpuara plotësisht nga gojët mediatike të politikës?
 
Anipse shihet tejpërtej sesi janë vënë në shërbim të strukturave që i ushqejnë, analistët kërkojnë nga publiku mirënjohje. Fare pakëz qoftë, por mirënjohje gjithësesi. Unë mendoj se e meritojnë. Vërtetë, mund të mos jeni domosdoshmërisht të dashuruar me ndonjë analist, por mendoni pak për sakrificën e tyre sublime, për orët dhe orët që kalojnë larg familjes, të gjitha për tu shërbyer shqiptarëve - për të ndriçuar mendjet dhe shtegun e këtij populli me versionin e tyre të së vërtetës, duke e komentuar politikën si ndonjë garë qensh. Mendoni për lodhjen e qindra shkrimeve, për frymën e mijra fjalëve, për ajrin e rëndë të dhjetra studiove që janë detyruar të durojnë. E gjitha për të prodhuar opinione të gatshme për këtë popull të trashë. Analistët japin shumë dhe marin pak, oh sa pak mirënjohje. Për t'i shërbyer publikut janë sakrifikuar deri aty sa tash u ngjajnë atyre makinave të kazinove, fut një monedhë këtu dhe në çast del një shkrim i gatshëm për tu botuar të nesërmen, fut një monedhë tjetër dhe ja ku del një analizë-perlë.


Por çfarë duan analistët (përveç favoreve të vogla në kohën e duhur)? Asgjë nuk duan nga ky popull mosmirënjohës. Asgjë përveçse që njerëzit ta ulin pakëz zërin për të treguar se i njohën kur ata hyjnë në kafene, asgjë përveç ndonjë buzëqeshjeje respekti në rrugë. Asgjë nuk kërkojnë analistët përveçse t'i pyesësh vazhdimisht se ç'mendojnë për këtë apo për atë tjetrën, në mënyrë që ta ndjejnë veten të qetë, të përmbushur dhe pafundësisht të mençur. Ata duan thjesht të flasin, të formojnë opinionet e njerëve, e për këtë pak gjë janë të gatshëm, këta burra të rëndë, të bëjnë grimin çdo natë. Nuk është sakrificë e vogël të mbash titullin e analistit, opinionistit, komentatorit e polemistit dhe për shkak të këtyre sakrificave kanë të drejtë të falsin mbi gjithçka, dhe ta kenë ata fjalën e fundit në çdo debat.

Druaj se duke shkruar këta rreshta po e thjeshtoj së tepërmi figurën e analistit të sotëm në Shqipëri, duke i futur të tërë në një kallëp. Paraprakisht u kërkoj ndjesë gazetarëve të mirëfilltë, dhe atyre që vërtetë shkruajnë për shkak të një detyrimi qytetar e jo për të justifikuar rrogën në administratë apo për shërbim ndaj bamirësve të tyre në politikë. Këtu dua të sqaroj se analistët janë të dallueshëm mes tyre. Kemi analistët që janë miq të zyrtarëve të shtetit. Shqetësimi i tyre kryesor është ruajtja e rendit të gjërave. Ata nuk i përkasin asnjë partie pasi nuk duan të tradhëtojnë paanshmërinë dhe urrejnë përkushtimin që mund të kufizojë potencialet e ardhshme për të ndërruar pllakën. Me buzët në sisën e pushtetit, këta kanë gjithnjë një çehre të shqetësuar në fytyrë. Me raste u vishen sytë me lotë, si për shembull kur opozita kërcënon mosbindje civile, për shkak se u pikon në zemër siguria e qytetarëve shqiptarë.

Kemi mandej analistët opozitarë, të cilët e kanë dashuruar popullin qysh në kohën e planeve pesëvejçarë. Këta kanë vizionin të shohin që gjithçka që qeveria thotë apo bën, s'thotë apo s'bën, është e ligë edhe para se të ndodhë. As këta nuk i përkasin ndonjë partie pasi nuk duan të tradhëtojnë popullin, për të cilin kanë respektin maksimal kur vepron ashtu si ata mendojnë se duhet të veprojë. Këta mund të jenë të kamur, por në shpirt e në sy mbeten kooperativistë.

Këta janë dy tipet kryesorë të analistëve por ka edhe të tjerë. Ka nga ata që duan të rrëzojnë çdo mit e ka nga ata që mitet i ruajnë me fanatizëm. Ka nga ata që veten e kanë mit, analistët-promete. Ka analistë që i duan njerëzit ashtu siç janë, të tjerë që i duan njerëzit ashtu siç duhet të jenë. Ka analistë shakaxhinj që gjithmonë e kanë një batutë në buzë, e nga ata që janë gjithmonë esëll sikur sapo vijnë nga ndonjë funeral. Ka nga ata që citojnë emra të mëdhenj, dhe nga ata që citojnë veteveten. Ka nga ata dritëshkurtër që të renë e shpejgojnë gjithmonë me të vjetrën... Shumica e analistëve e urrejnë fshehtas njëri tjetrin, si individë sigurisht - jo si analistë. E me gjithë këta midhje që prodhojnë perla, është e çuditshme që në këtë vend s'po merremi dot vesh më mbi asgjë.

13 Komente

Disa janë paçavure, të tjera janë perla ...

 

pash zotin, na ver linkun e nje  perle

Kemi mandej analistët opozitarë, të cilët e kanë dashuruar popullin qysh në kohën e planeve pesëvejçarë. Këta kanë vizionin të shohin që gjithçka që qeveria thotë apo bën, s'thotë apo s'bën, është e ligë edhe para se të ndodhë. As këta nuk i përkasin ndonjë partie pasi nuk duan të tradhëtojnë popullin, për të cilin kanë respektin maksimal kur vepron ashtu si ata mendojnë se duhet të veprojë. Këta mund të jenë të kamur, por në shpirt e në sy mbeten kooperativistë.

 

Aman ore Blendi.Kaq mire sa i ke pershkruar cilesite ke bere mire qe nuk ke vendosur emrin e Andrea Stefanit se kuptohet lehte.

 Blendi, une jam shume dakort me ato qe ke shkruajtur. Kshuqe shpresoj qe kjo qe do vijoje te jete thjesht nje kritike dashamirese. 

Une kam nje problem te madh me kohen dhe koherencen e ketij debati qe behet. Nqs deri dje kishim Topallet dhe Olldashet qe ziheshin me gazetaret/analistet neper studio, sot me shume se kushdo jane njerezit e opozites. Biles edhe ata me te moderuarit. Nuk e imagjinoja dot kurre qe Eri do zbriste ne nivelet qe ka rene tani, ku ne mos fjala e pare, e dyta eshte direkte "ti je sherbetor i pushtetit". Pse hapet sot ky debat?

Tani, nje pjese e gazetareve me emer sot jane ata qe mbajten ne kembe Koha Jone ne vitet 90. E kam fjalen per Shkullakun, Bejtjan etj etj. Keta pak dalin sot gjithsesi, me shume jane bere drejtor lajmesh. Nga te tjeret, Lubonja dhe Zheji kane qene qe ne vitet 90 te famshem, ishin si tip intelektual publik. Muc Nano filloi te dilte andej nga vitet 2000 dhe shkruante te Shekulli, e cila ishte e lidhur fort me Meten ne ate kohe meqe Koco nga ai i merrte kontratat. 

Po pjesa derrmuese e atyre qe ne quajme analiste sot, filluan te dalin ne skene ose te behen vertete te famshem pas vitit 2003. E kam fjalen per Stefanin, Cilin, Eduard Zaloshnjen, Artan Hoxha, dy vellezerit Nazarko, Minxhozin, ka qene nje tjeter atehere me emrin Fatos Cocoli qe merrej me probleme ekonomike. Se fundmi ketyre i jane shtuar edhe analistet/militante si Lorenc Vangjeli, Moza Dervishi e Bledar Prifti. Ne mos te gjithe keta, pjesa me e madhe jane shtyre e jane promovuar nga vete Rama. Pergjithesisht te gjithe e kane bere emrin te gazeta Panorama, e cila sot eshte shpallur armik nga PS. Dhe te gjithe keta kane promovuar pa fund idene se qe Shqiperia te ece, duhet te ikin Nano dhe Berisha. Koha kur kjo ndodhi nuk eshte koicidence! Mbas 2003 Meta e beri te qarte qe do shkeputej megjithese kjo nuk u formalizua deri ne 2004. Dhe me largimin e Metes, figura me publike qe mund te behej kryetar ngelej Rama. Dhe ky u hodhi i gjithe ne sulm, dy vjet perpara zgjedhjeve qe te krijonte frymen se ishte pasardhesi. Si pak politikane te tjere Rama ka perfituar nga mediat, nga analistet, aq sa mund te thuhet pa frike se para se te ishte fenomen politik ishte mediatik. 

Tani ky ju eshte sulur analisteve, atyre qe nuk e mbeshtesin me. Per te mos kopjuar shume Xhibin, pse duhet te me vije keq mua? 

1) Duhet te me vije keq se disa prej tyre nuk e ndjekin me ne marrezite e tij? Apo se tani qe eshte kryetar partie e jo thjesht bashkie, normalisht qe cdo veprim i tij do ster-analizohet, e do dyshohet, e nuk ka me "benefit of the doubt" qe kishte para se te behej kryetar? Dhe si tip i veshtire qe eshte ai kete nuk e duron dot?

2) Apo akoma edhe me shume, duhet te me vije keq qe megjithese me vonese kete loje te "bukur" e mesoj dhe Berisha dhe nuk do t'ia lej Rames ta luaj vetem?

Une pergjithesisht nuk e kam qef argumentin e tipit "pse flet tani, e jo me perpara", se sidoqofte gjithmone eshte me mire vone se kurre. Por pak sinqeritet e kerkoj, dmth nje pershkrim te vogel te lindjes dhe zhvillimit te rolit te "analisteve" e dua, ne menyre qe te dime edhe cfare nuk duhet te bejme me qe ky problem te vazhdoj. 

Pershendetje Endrity dhe falemindrit.

Per sa i perkete kohes kur vjen shkrimi, mund te te them se ky nuk eshte shkrimi im i pare mbi kete teme, per te argumentuar se problemin nuk e shoh tani. Shkrimet e para mbi kete teme e kam bere me 2006.

Personalisht nuk kam asnje problem me asnjerin prej analisteve, dhe as fakti qe mund te jene te majte apo te djathte nuk me shqeteson. Ajo qe me shqeteson realisht eshte qe duke qene prane njeres apo tjetres pale politike dhe duke pushtuar mediat, keta kane ngushtuar deri ne zhdukje te plote hapsirat per zerat e grupeve te skajuara te shoqerise. Dmth. une nuk e shoh me shume interes kush eshte pro apo kundra Sales, apo kush e ka mire apo keq me Ramen.

PD dhe PS kane te gjitha hapsirat mediatike qe mund t'u nevojiten ndaj mua me duket e kobshme qe edhe hapsirat e debatit te zihen plotesisht nga perplasjet politike.

Analistet komentojne politiken si gare qensh - kam shkruar. Ne duar kam nje sondazh (qe do ta sjell shume shpejt ne peshk) i cili tregon se cilat jane problemet sociale me serioze (sipas njerezve). Tani, me rezulton se nga 18 problemet sociale me te mprehta, asnjeri nuk trajtohet si teme nga asnjeri nga analistet. Si ka mundesi qe zerat qe supozohet se flasin ne emer te shoqerise flasin rralle apo hic fare per problemet reale? Dhe nese e gjithe hapsira mediatike zihet nga shkaperdredhjet e se forcave politike nuk mbetet vend per shqetesimet e njerezve.

Ky shkrim eshte shume i kritikueshem. Here pas here une e them ate qe mendoj qofte edhe per t'i mbajt pakez fare me te ndershem (me veteveten) analistet tane. Mbase u sherben tu thuash "e keni lli krejt", por krejt ama. Nuk kam fare problem ta zberthejme shkrimin vidha visha, madje me behej mire. Por kjo situata ku njeriu shqiptar po del mendsh nga bombrdimi me politike 24/7 me shqeteson. Konsumohet aq shume "analizem" ne kete vend saqe seriozisht po mberrijme debilizimin total. Edhe kur je i ndergjegjshem per pasojat, behesh adikt i debateve - eshte e frikshme.

 

 Shume dakort Blend, nuk eshte se po themi gjera te kunderta ne fund te fundit. 

Sa per hapesiren publike, prandaj kemi Peshkun smiley

Hapsire publike i thencin.  Kane vershuar dhe ketu me shumice njerez qe jane te dhene mbas keqaz ndaj "analizmit" sic thot Blendi.

Me pelqeu stili.

Ne Shqiperi, analistet jane agjente shitjesh te opinionit publik.

Krijesa fodulle dhe qesharake me nje pasion te konsiderueshem persa i perket veshjeve formale si edhe trajtimit te flokeve e te lekures.

Blend,

Je plotesisht i sakte ne ngritjen e kesaj pike : Si ka mundesi qe as SHTYPI as TELEVIZIONI nuk flasin asnjehere per hallet apo gjendjen e puneve ?

Te betohem, edhe TV i Enver Hoxhes ishte me i sakte, ngaqe te pakten shkonte dhe jepte lajme nga fushat dhe uzinat, paçka se genjente si qeni, por te pakten shkonte aty ku eshte jeta.

Me familjen time ketu, shoh per çdo nate lajmet e frengut. Dhe prinderit habiten me lajmet e frengut sepse keta nuk e kane fare per turp qe te flasin per çmimet, per bujqesine, per qumeshtin, per kohen e keqe, per lulet e 1 majit (muguet), per zhurmen e avioneve, per bakrinat ne ndonje punishte, dmth per gjithçka qe ka te beje me NJERIUN MBI TOKE.

Dhe çfare lemerie kur e shetit zappingun ne TV shqiptare : llafe, llafe, llafe, te pafund mbi nenin aq e kaq, mbi thashethemet e ketij dhe atij, nje tmerr.

Kjo eshte arsyeja qe kjo puna e debilizimit te njeriut shqiptar po merr permasa te perbindshme.

Ne kete kuader, ju lutem dhe administratoreve te peshkut, ku je dhe ti, mos i debilizoni dhe keta pese-gjashte qe kane mbetur me llogje te pafundme gazetash. Mos na çani shume koken me çdo pellitje te njerit apo tjetrit. Kapni nje problem te percaktuar, perktheni nje artikull mbi politiken, pushtetin, ekonomine, ose fundja flisni nje dite per bujqesine shqiptare, sillni te dhena, ku jemi e ku s'jemi, dhe njerezia te flasin e te marrin vesh diçka. Eshte çakerdisese qe te ndjekim ketu çdo lloj paçavure qe kalon neper gazeta paçavure. Keshtu e shoh une.

Komentariati shqiptar eshte pasuri e cmuar e shoqerise sone! smiley

Une qesh, po eshte e vertete! 

Si shume nga pasurite e shoqerise sone, eshte pasuri e vene shpejt, me pak mund dhe si rrjedhim shkel e shko! 

Blend shkrim shume i mire pergezime. Ka analiste apo gazetare qe shkruajne perla apo qe thjesht ngrejne shqetesime e denoncojne fenomenet e problemet qe ka vendi yne me ndershmeri e kurajo por nga ana tjeter ka disa tipa te tjere qe prostituohen perpara gjithe shqiptareve per nje rroge te qelbur apo nje sherbim me shume. Ndonjehere nuk e kuptoj se si nje idiot i vetem mund te mbaj mbi vete kaq shume pisllek e kaq shume degjenerim. kujtojne se njerezit jane budallenj e do i kaperdijne arsyetimit  qesharake qe ata percojne, gjithnje ne mbrojtje te padronit por per fate te keq nuk eshte keshtu e vetmja gje qe kaperdin publiku eshte neveria per keta vemje

Blendi, mire do beje te na dhoje dicka mbi analistet kur keta nuk vene maskat hipokrite kur jane perpara kamerave neper studiot televizive...Se ti ke qene disa here ne te njejtat ambiente me keta analistet mazhoritare, opozitare, shakaxhinj, nihiliste e mitomane...

 Shikoni perlat qe dalin nga goja e analisteve, ca prej te cileve jane bere deputet megjithese kane veshtiresi ne artikulimin e fjaleve. Dalloni ju lutem llogjiken e ftohte juriste te z. Stefani:

http://top-channel.tv/video.php?id=15044

 Blend,

Mendova, sduroi dot me Blendi. E ndezi, po me fitil te shkurter fare fare. Pastaj, lexova kete "Druaj se duke shkruar këta rreshta po e thjeshtoj së tepërmi figurën e analistit të sotëm në Shqipëri, duke i futur të tërë në një kallëp" Ca me poshte pastaj fillon  i mer dhe me te mira dhe me duket se mungonte vetem nje "faleminderit". 

Mbase, te veshesh briret e dhe mos te prapsesh nuk eshte produktive, por, o do ti vesh te gjith ne nje thes, ta shtrengosh mir nyjen e ti hedhesh nga ura Beratit, ose do ta ndash shapin nga sheqeri, me emra e mbimra. Tjeter pune, nese e kishe kshu... me analizllekun... Te ka me lezet kur godet pa amortizim!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).