Greqia... Komshija ime në Perëndim e gjysmës së jetës sime në Turqi dhe përsëri komshija ime në Lindje e gjysmës tjetër të jetës këtu në Shqipëri... Si rrallëkush, ndihem me fat, pasi si rrallëkush jetova ngjitur në të dyja anët e shtëpisë tënde të mrekullueshme... Me qindra vite në Turqi... Me mijëra këtu në Shqipëri...
Greqia... Komshija ime e shtrenjtë... I njëjti diell na zgjon çdo mëngjes... E njëjta erë na zbulon pjesët e turpshme... Gjithnjë e njëjta zënkë dëgjohet në shtëpitë tona... Të bërtitura, të qara, të qeshura, të shara... Në të njëjtin tel i ndejmë teshat për t’u tharë, me të njëjtat kapëse i mbërthejmë shpresat, inatet, dashuritë dhe urrejtjet për të na i parë... I njëjti tingull na bën të ngrihemi e të kërcejmë, me të njëjtat meze mbushim tryezat, kapardisemi, ekzaltohemi dhe dehemi në çdo dasmë... Patjetër, të njëjtat gjëra vjellim më pas... Me të njëjtën thënie përkëdhelim fëmijët, i qortojmë... E njëjta fishkëllimë dëgjohet kur na kalojnë para syve vajzat e bukura... Çmimeve, lajmeve, por më e çuditshmja edhe çudirave i fishkëllejmë njëjtë... 
Ia shajmë perënditë njëri-tjetrit... Themelet e shtëpive... por gjithsesi të parët ia zgjasim dorën njëri-tjetrit në skamje... Ia zgjasim hirin, kripën, duhanin... 
Deti i njëjtë, dallga e njëjtë, peshku i njëjtë... 
Në të njëjtën kohë biem të flemë... I njëjti mur na ndan... I njëjti rënkim dëgjohet kur bëjmë dashuri... 
E njëjta kukuvajkë na lajmëron për mort... Përherë po e njëjta kukuvajkë na lajmëron mbi të njëjtën çati ... 
Greqinë... Komshien time më të vjetër... Sikur të jetë e çmendur po e tallin... Sikur të jetë me zgjebe po e përbuzin... Sikur të jetë hajdute po e poshtërojnë... Greqia... Komshija ime fisnike... Sikur të kesh vdekur, po gëzojnë...
Kam muaj që mendohem... Çfarë i shtyn gjithë këto shtete, udhëheqës, bashkësi apo media të jenë mbuluar djallëzisht me mllef e smirë?! Ç’është kjo dëshirë për hakmarrje?! Çfarë do të kenë në duart e tyre pas robërimit të shtetit grek, nëse prangosin një popull të tërë?! Çfarë     traditash të reja mund të sjellin, nëse djegin varkat e vjetra bashkë me lopatat para çdo shtëpie në ishujt e saj?! Çfarë mbajnë në shpirtin e tyre ndërsa fajësojnë Kishën Ortodokse Greke si shkaktare të kaosit, krizës dhe pasigurisë së krijuar... 
Greqia... Komshija ime prej luani... Ashtu si ti, edhe unë nuk jam i çmendur t’i jap as mendjen, as penën hienave të ta shkruajnë historinë... Ashtu si ti, edhe unë nuk jam me zgjebe të mos ulëras të vërtetën në mesin e të gjithëve... Nuk jam hajdut t’ia liroj ishujt gjuetarëve e aq më shumë, edhe unë, ashtu si ti, akoma nuk jam i vdekur t’ia lejoj ndokujt të ta blejnë fenë...Aq më pak shtrigave..
Greqia dhe ne... Rusë, bullgarë, turq, shqiptarë, serbë, italianë e shumë e shumë të tjerë që sot vazhdojmë të jetojmë, të bëjmë një udhëtim sa më parë në Greqi... Një orë, një ditë, një javë s’ka rëndësi... Të fotokopjojmë faqen e pasaportës me vulën hyrëse dhe mbrapa në gjuhën e gjithsecilit prej nesh të shkruajmë vetëm dy rreshta...
Shkëlqesia juaj, Z. Ban Ki Mon...
Në datën e shënuar në këtë letër, bëra një udhëtim në Greqi... Një vend me më shumë ishuj të jetueshëm sesa kombet e anëtarësuara në organizatën që ju drejtoni...
Do të isha i lumtur nëse edhe ju e vizitoni Greqinë... Do të isha shumë i lumtur nëse organizatën tuaj do ta mblidhni vetëm për një seancë në Akropol...
Një qytetar i botës që shpreson te lumturia, beson te ju...
Greqia dhe ne.... Rusë, bullgarë, turq, shqiptarë, serbë, italianë e shumë të tjerë... Të gjithë kemi komshi... Të gjithë jemi zënë shpesh me ta edhe kur kanë qenë vëllezërit tanë...
Nëse do t’i qëndrojmë pranë, do të vazhdojë të ekzistojë Greqia! Nëse nuk është Greqia, edhe ne nuk kemi qenë kurrë! Nuk kemi thënë kurrë të dua....

(Shkrimtar, lindur në Turqi, me origjinë të hershme shqiptare. Prej 20 vitesh jeton në Shqipëri)

10 Komente

thellohu edhe pak se je teper perciptazi. nuk jemi ne qe duam te jetojme pa ata, por jane ata qe nuk gezojne dot me ne.

Epo me detyrove. S'doja te perdorja artilerin e rende, por e kerkove vete duke me ofruar fakte rreth respektit reciprok Greqi-Turqi. Mendoj se kjo dashuri e thelle ka lindur ne antikitet, qe ne kohen e luftes se Trojes. Dhe kush ishin ata qe shkonin deri ne Troje (paraardhesja e Turqise) ne kerkim te aventures, e tregon kjo video: http://www.youtube.com/watch?v=e1VDi2OytJ8

kur shqiptaret behen me progrek se greket vizita te mjeku i kompleksit te poshtesimit eshte me se e nevojshme.ata s'jetojne dot pa ne per nje arsye teper  te thjeshte .ATA JANE FARA JONE

Paska rrjedhur i ziu smiley

Greqia... Komshija ime prej luani...

Alo alo ambulanca. Ahmet hallvaxhiu roiti nga trute.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).