Janë me dhjetra shtëpitë e produksionit në Shqipëri, por të bësh një film sot nuk është aspak e lehtë. Mungesa e financimit dhe tregu zero i distribucionit bën që ato të prodhojnë pak.

Pier Paolo Pasolini, në vitin 1975, pak ditë para se të vritej, i përgjigjej fare shkurt pyetjes së gazetarëve suedezë, nëse ishte e vështirë ta mësoje zanatin e regjisorit: “Për çerek ore mëson gjithçka”, thosh ai. Ky pohim ironik i kineastit të madh italian mund të jetë deri diku i vërtetë, sidomos nëse e huazojmë në ambientin shqiptar. Aty ku të mësuarit të zanatit të regjisorit është diçka e lehtë, por bërja e një filmi është thuajse e pamundur. E lexuar kaq thatë fjalia ngjan paradoksale, ashtu si koha në të cilën po jeton kinemaja në Shqipëri. Sot është e lehtë të ndjekësh studimet në Akademinë e Arteve, të diplomohesh regjisor ose aktor, e pastaj me të hyrë në tregun e filmit kupton se shumë shpejt mund të ngelesh pa punë. Arsyeja është e thjeshtë: Prodhimi i filmave vendas është në një gjendje, në mos të vdekur, afër pikës së vdekjes. Sepse thuajse askush nuk interesohet ta ngjallë këtë industri, e cila duket se problemin kryesor ka financimin, por nuk është vetëm kaq. 

Vitet e fundit, sidomos pas vitit 2000, shtëpitë filmike ose siç njihen ndryshe “shtëpitë e produksionit”, janë shtuar boll në tregun e bërjes së kinemasë. Janë me dhjetra ato të cilat operojnë sot në Shqipëri, e megjithatë prej tyre dëgjojmë pak ose aspak. Në rastin më të mirë, kur organizohet ndonjë festival (i rrallë) ose kur në ato pak kinema të Tiranës gjendet pakëz vend edhe për një film shqiptar. Gjithsesi përpiqen të mbijetojnë në një treg privat, i cili ka shumë të meta dhe jo shpeshherë i shpërblen për punën që bëjnë. Sepse tregu i filmit në vendin tonë duket se ka marrë nuancat e shprehjes “tafti-bafti”. Që do të thotë: Nëse ti prodhon një film, paç fat në gjetjen e dikujt që do të dojë ta blejë. E nëse e gjen, do Zoti je negociues i mirë për ta shitur mjafueshëm ose prodhimin tënd do të të duhet ta këmbesh si lëmoshë, vetëm e vetëm për të mos e mbajtur në sirtarët e studios. Përballë këtij fakti qëndron edhe çështja e përhershme: Financimi. Një problem i cili shpesh ngre krye në marrëdhëniet mes shtëpive filmike dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, institucioni që financon prodhimin e filmave. Por, fatkeqësisht jetojmë në një vend ku financimi i artit dhe kulturës lihet gjithmonë në rreshtin e fundit dhe ato çka tepërojnë janë herë shumë pak, të pamjaftueshme, e herë hiç. Dhe për më tepër, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve tregohet aq e sinqertë (nga halli) sa ta pranojë këtë, atëherë ç’mbetet për tregun e kinematografisë? Sigurisht, mbijetesa me ç’të mundesh! 

Për të dytin vit radhazi, Qendra Kombëtare e Kinematografisë vendosi para disa javësh të mos financojë asnjë projekt për filmin me metrazh të shkurtër dhe dokumentar. Në vitin 2011 arsyeja ishte cilësia e dobët e skenareve, ndërsa këtë vit votimi jo i rregullt nga disa anëtarë të jurisë, çka rrjedhimisht njoftoi për tre fitues të parregullt. Në një shkrim të mëparshëm të revistës Klan mbi temën, kryetari i QKK-së, Artan Minarolli, premtoi se konkursi do të ribëhej, por pa dhënë një datë të caktuar për të. Mandej, fituesit nuk do të jenë më 3, por një ose maksimumi dy, për arsye se financat e qendrës janë të kufizuara. QKK-ja është institucioni i vetëm në Shqipëri, i cili financon projektet filmike, e nëse ai nuk ka para për këtë, të gjitha shtëpitë e produksionit përpiqen të mbijetojnë në një qark të mbyllur prej vitesh. Pa mbështetje dhe financim nuk mund të ketë art. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë duhet të hartojë një strategji të qartë distribuimi të filmit”, përgjigjet Artan Maku, regjisor e producent i shtëpisë filmike “Maku Production”. Ai nuk sheh dritë në fund të tunelit për tregun ekzistues të filmit, e madje thotë se në Shqipëri ka anarki në distribuim. Shtëpinë e tij filmike e ka krijuar në vitin 2005 dhe prej asaj kohe ka realizuar 3 filma me metrazh të shkurtër (Busulla, Shenjtorja dhe Mira) dhe 12 filma të animuar. Ndonëse shkollimi i tij fillestar është piktura monumentale, Maku do të hidhej shpejt në tregun e filmit të animuar, kur në vitin 1981 do të realizonte projektin e parë, “Dhelpra dhe iriqi”. Pas viteve ’90, filmi i animuar ka pësuar një goditje të rëndë sepse askush nuk shfaq më atë lloj interesi si dikur, e për më tepër nuk ka shkollë për ta vijuar si zhanër filmi. “Sot, nëse një televizion pranon ta marrë prodhimin tënd, e bën për nder ose për keqardhje, jo për vlerë. Distribucioni i filmit nuk ekziston”, thotë ai, duke shtuar se loja e tregut nuk njihet fare. Madje filmat shqiptarë shpërndahen më lehtë jashtë, kurse këtu kjo nuk ndodh sepse nuk ka se kush ta bëjë. 

Si shtëpia filmike “Maku Production” ka me dhjetra shtëpi të tjera, të cilat tani zbatojnë teknologjinë e fjalës së fundit në prodhimet e tyre. Por, shpenzimet janë vërtet të mëdha, prodhimi i një filmi kushton shumë. Ka raste kur prodhimet shiten për t’u transmetuar një herë dhe ata që e blejnë e shfaqin atë sa herë të duan, duke shkelur të drejtat e autorit. “Themelet e ndërtesës së kinematografisë nisin nga mbrojtja e të drejtës së autorit”. Ajo nuk respektohet, ndërsa mungesa e prodhimit vendas, thotë Maku, justifikon piraterinë. Maku këmbëngul tek filmi i animuar: “Ky zhanër në Shqipëri nuk shpërndahet fare. Nuk e di ku fshihet mendimi i mosblerjes së këtyre filmave, por është fakt se nuk mbështetet. Dikur, para viteve ’90, ky zhanër merrej me edukimin e fëmijëve, ndërsa sot e shtyjnë tutje si diçka pa interes”. 

Faktit se filmat ngelen pa treg i mëshon edhe Dionis Papadhimitri, regjisor dhe producent i shtëpisë filmike “Papadhimitri Film Production”: “Filmat shfaqen nëpër festivale, më pas japin premierën dhe gjithçka mbet këtu”. Kjo shtëpi filmike ka një aktivitet të gjerë në fushën e kinematografisë dhe medias. Gjatë një periudhe 5 vjeçare ajo ka realizuar dokumentare, reportazhe, filma me metrazh të shkurtër, bashkëpunime me partnerë të huaj, si dhe ka realizuar një numër të madh spotesh. Filmi me metrazh të shkurtër “Dita e parë e shkollës” me regji të Dionis Papadhimitrit është nderuar çmimin si filmi më i mirë në Paris në Festivalin “SEE a Paris”. Gjithashtu, më përpara ky film është vlerësuar si filmi më i mirë shqiptar në TIFF në vitin 2008. Ndërsa, në festivalin e 61 “Prix Italia” në Torino u përzgjodh një nga 3 filmat më të mirë në prodhimet HD. “Papadhimitri Film Production” është realizuese e më shumë se 20 spoteve televizive të ndryshme dhe videoklipesh. Sa i takon tregut, Papadhimitri shton se edhe për dokumentaret është e njëjta situatë, madje ka më pak festivale në të cilat ato mund të shfaqen. Destinacionet e tyre kryesisht janë televizionet, por edhe këto kërkohen me ngulm nga shtëpitë filmike që bëjnë vetë marketingun dhe shpërndarjen. Destinacioni i parë i filmit artistik është kinemaja, por duke qenë se shumica e tyre prodhohen me bashkëprodhues të huaj, të cilët zakonisht ruajnë edhe të drejtën e shpërndarjes së filmit dhe si të tillë mund të vendosin të mos e transmetojnë në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet pse shohim gjithnjë e më pak filma që transmetohen në kinematë tona. 

Ai që vuan më shumë është filmi me metrazh të shkurtër. Për këtë zhanër nuk ka treg fare dhe thuajse nuk interesohet askush. Por, duhet thënë se duke qenë një zhanër delikat kinematografik, shumica e tyre nuk janë në nivelin e duhur dhe lënë për të dëshiruar sidomos me skenarin. “E vetmja mundësi që filmi me metrazh të shkurtër të shfaqet janë festivalet ndërkombëtare apo ndonjë ekran sporadik televiziv”, thotë Papadhimitri. Edhe mbështetja financiare nga shteti për këtë zhanër është thuajse zero, qoftë sepse nuk ka para, qoftë pse projektet janë të dobëta. Kryesisht çalojnë në skenar: Mungesa e skenaristëve të mirëfilltë është një problem i përgjithshëm në kinematografinë shqiptare. Për më tepër, mungon kritika e mirëfilltë, e cila të vlerësojë realisht nëse një film ia vlen ose jo. Dikur ajo ka ekzistuar, me të mirat dhe të këqijat e saj, por tashmë është thjesht një kujtim. Por, nëse në Shqipëri ekzistojnë me dhjetra shtëpi filmike, sa ia vlejnë ato dhe a meritojnë të gjitha të quhen të tilla? Sigurisht, që jo! Sot gjithkush mund të ngrejë nga hiçi një të tillë, sepse rregullat janë të ngjashme me ato të themelimit të një organizate jofitimprurëse. Ama, shumë prej tyre, edhe pse ekzistojnë ligjërisht, janë inekzistente. Si të tilla ngrihen edhe në funksion të marrjes së një fondi të caktuar për të realizuar një film artistik apo dokumentar, e pastaj zhduken pa nam e nishan. Filmi shqiptar është në hullinë e tranzicionit të thellë që po kalon shoqëria shqiptare dhe mes korrupsionit apo mungesës së rregullave të barabarta për të gjithë, duke sikur gjallon në njëfarë mënyre. Por, vetëm kaq ama. 

2 Komente

Kalemi, nga shume larg e ke kapur kete panoramiken, mezi dallohet vija e horizontit jo me kaubojsi ne maje te kalit.

Sa shtepi filmike ka? Sa buxhet jepet nga shteti? Sa para hedhin televizionet private per filmat televizive? Sa i madh eshte tregu i prodhimit te reklamave?

Dhe a e pe ate filmin shqiptar qe ka dale keto dite ne kinema? Po sa filma te tjere prodhohen ne vit ne kete industri "ne mos te vdekur, afer pikes se vdekjes"? Sa i bie per banor dhe per vizitor kinemaje? Po Kosova c'ben, po Serbia, Maqedonia, etj?

Nejse, ti jepi, kalemin e ke.

Kalemi eshte gazetar dhe jo i pandehur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).