Myslimanët shqiptarë duhet të nisin një debat të shëndetshëm mbi kuptimin e mirëfilltë të lirisë së fjalës, liri e cila dhe në vendet më liberale ka kufijtë e vetë.

Këto ditë është komentuar në media botimi në pritje i “Vargjeve Satanike” të Selman Rushdisë, një libër i cili në botimin e tij të parë tërhoqi vëmendjen e mbarë opinionit botëror pas dënimit me vdekje të shpallur nga udhëheqësi iranian, Homeini, për autorin e librit. Ky historik i botimit të librit sjell në mënyrë të natyrshme vëmendjen e shtypit mbi opinionin e myslimanëve në Shqipëri.

Faqja shqiptarja.com njofton se u drejtua në dyert e Komunitetit Mysliman Shqiptar për të marë një prononcim mbi këtë botim të pritshëm dhe ndoshta jo për tu habitur, në dyert e KMSH-së morën përgjigjen se “ende nuk ishin të gatshëm të jepnin një përgjigje zyrtare për këtë çështje, pasi duhet ta diskutonin, para se të dilnin me një qëndrim zyrtar në media.” Le të sqaroj se autori i këtyre rradhëve jo detyrimisht beson se KMSH duhet të deklarohet apo të bëjë mbledhje sa herë dikush vendos të bëjë para duke fyer një bashkësi fetare.

Gjithsesi, në mungesë të prononcimeve nga KMSH, bashkësisë tonë nuk i kanë munguar asnjëherë zëdhënësit e pautorizuar, si fjala vjen z. Ermir Gjinishi, i cili përkundër prezantimit nga shqiptarja.com si një aktivist mysliman, është vetëm një ish-funksionar i diskretituar i KMSH-së pa asnjë lloj aktivizmi në jetën e bashkësisë së besimtarëve myslimanë. E megjithatë, nga njerëz që nuk pasohen nga askush sillen insinuata për qëndrime të dhunshme të bashkësisë: “Në botë ka pasur shumë reagime, nëse ju kujtohet, atëherë Irani, nxori edhe një çmim ekstra për kokën e Salman Rushdisë. Ne nuk kemi nevojë të krijojmë kështu situatash, nuk janë pozitive.”

Në Shqipëri janë botuar nga revista Mapo më parë karikaturat famëkeqe kundra Profetit, paqja qoftë mbi të – karikatura të cilat gazetat më në zë në Perëndim rrefuzuan t’i botojnë, e megjithatë nuk u “krijuan kështu situatash.” As nuk pati reagime të dhunshme kur u botua një libër përplot me urrejtje për Islamin e myslimanët shqiptarë si libri i Ben Blushit, “Të Jetosh në Ishull.” Faqja ResPublica i komentoi këto fjalë të z. Gjinishi si të “lënë të kuptohet se i mirëkupton këto reagime të pritshme.” Cilat reagime po mirëkutpohen e po priten këtu zotërinjë? Me cilat fantazma e mullinj ere kërkoni të trembni miletin?

Për Forumin Mysliman të Shqipërisë, një organizatë me aktivizëm të provuar, Roal Hysa bëri të qartë që myslimanët  “thjesht reagojmë me fjalën. Ne nuk jemi as për djegie të librit, ne nuk jemi inkuizicioni që të djegim librat…” Sigurisht askush nuk mund të garantojë për secilin individ, por nuk ka asnjë qëndrim kolektiv myslimanësh shqiptarë që mirëkupton reagime të dhunshme ndaj botimit të një libri, edhe kur është një libër që fyen sensitivitetet tona.

Nëse një botues kërkon të bëjë para me botimin e një libri fama e të cilit i atribuohet vetëm e vetëm fyerjes që u bën myslimanëeve ky është problemi etik i botuesit dhe në Shqipërinë tonë rëndom njerëzit shesin sapunin për djath e u ofrojnë njerëzisë kimikate në ushqim e ujë në qumësht, e kështu që nuk ka gjë për tu habitur. Madje autori i këtij shkrimi e konsideron edhe më të dënueshëm dhe më të rrezikshëm botimin e librit të Adolf Hitlerit nga i njëjti botues. Dukshëm, konsideratat etike nuk janë preukopim për “Dudaj.”

Botuesja pare le të bëjë, por asaj nuk i lejojmë të na thotë se kur mund të fyehemi e kur jo e as të na thotë se ky libër nuk fyen fenë Islame. Libri atakon drejtëpërdrejtë Librin e Shenjtë të myslimanëve dhe Profetin, paqja qoftë mbi të, e botuesja mos na bëjë propagandë duke na thënë se problemi na qenka vetëm me Islamizmin politik. Së paku të drejtën për tu ndjerë të fyer nuk mund të na e marë botuesja Dudaj.

Liria e Fjalës dhe “Vargjet Satanike.”

Le të adresojmë shkurtimisht edhe debatin mbi lirinë e fjalës. Lexuesit mund të kujtojnë se pak vite më parë një humorist shqiptar në Televizionin Kombëtar imitoi Papën dhe pas një proteste të Ambasadës së Selisë së Shenjtë u vunë në rreshtore drejtuesit e TVSH duke kërkuar ndjesë. Liria e fjalës pra paska kufinj dhe paska kufirin te thana edhe në sensitivitetet fetare, thjesht sensitivitetet myslimane nuk meritojnë konsideratë në këtë Shqipërinë tonë. Ne jo se mbështetim humorin vend e pa vend me figura të rëndësishme fetare, por tek e fundit humori u bë jo me figurën qendrore të fesë së katolikëe, Jezu Krishtin, por me kreun temporal të Kishës. Në rastin e karikaturave apo dhe “Vargjet Satanike” atakohen elementët qendrorë të fesë islame, Kurani i Shenjtë dhe Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të. Dedikimi ndaj lirisë së fjalës në Shqipërinë tonë është selektiv e disa fe meritojnë më shumë respect se disa të tjera.

Kancelarja gjermane Merkel dekoroi autorin famëkeq të karikaturave me një dekoratë për lirinë e shprehjes por cili është mesazhi i një karikature ku figura qendrore e Islamit paraqitet me një bombë në vend të callmës? A nuk përforcon kjo stereotipet që paraqesin të gjithë myslimanët si terroristë? të njëjtat stereotipe që kërkojnë të justifikojnë vrasjen e disa turqve-gjermanë mëkati i vetëm i të cilëve ishte se bënin Doner e qebapë për gjermanët? Në një kohë kur është dokumentuar roli i karikaturave evropiane ndaj hebrenjëve në ushqimin e anti-semitizmit, si mundet kreu aktual i shtetit gjerman të injorojë precedentet genocidiale të vendit të saj dhe se si karikaturat kundra hebrenjve kontribuan në dehumanizimin e hebrenjve dhe përligjjen e anti-semitizmit?

Këtu vlen të kujtojmë dhe debatin në kohën e botimit të parë të “Vargjet Satanike” në Angli. Deklarata e Homeninit spostoi vëmendjen nga esenca e asaj për të cilën po protestonin myslimanët në Angli. Anglia ka ligje që penalizon fyerjen ndaj Krishtërimit. Si qytetarë anglezë, myslimanët atje kërkuan që të mbrohen nga të njëjtat ligje në emër të barazisë përpara ligjit dhe e panë lejimin e botimit si provë të diskriminimit në një vend ku qytetarët e vendit nuk mbrohen njëlloj nga ligjet dhe ku tregohet preferencë ligjore ndaj një feje në dëm të një tjetre. Deklarata e Homeinit spostoi vëmendjen nga ky debat dhe të gjithë myslimanët anglezë u etiketuan si mbështetës së islamizmit politik të frymëzuar nga Homeini. Këtu e ka bazën dhe deklarata copy & paste e botueses Dudaj. Por myslimanët shqiptarë nuk kanë pse turbullojnë ujrat duke thirur fantazmën e Homeinit, por duhet të nisin një debat të shëndetshëm mbi kuptimin e mirëfilltë të lirisë së fjalës, liri e cila dhe në vendet më liberale ka kufijtë e vetë. Botimi i një libri artisktikisht mediokër nuk shton asgjë në bollëkun e materialeve islamofobe që mbizotrojnë mediat tona. Por ne duhet të fokusohemi tek debati i vërtetë duke u siguruar që mos përforcojmë karikaturën që duan të ngrënë kundra bashkësisë së myslimanëve si një bashkësi e dhunshme që rrezikon lirinë e fjalës.

www.e-zani.com

1 Komente

Artikullit i mungon vetem shpjegimi se pse libri fyen myslimanet. Se e drejta per tu ndjere i fyer eshte e gjithekujt po kete te drejte nuk mund te abuzohet sic mund te jete abuzuar me lirine e fjales.

Pra duhet shpjeguar nese ky reagim i botes islame ndaj librit eshte per X arsye te shendosha apo i tipit "pse m'shef shtremet".

Ne rastin e karikaturave une isha plotesisht dakort qe ato ishin shprehje e qarte racizmi dhe autori i tyre duhej futur ne burg. Para se te me hidhet ne fyt ndonjeri ketu po shpjegoj kendveshtrimin tim per kete. Nese ato karikatura do ishin bere nga nje karikaturist ne Egjipt psh, une do e quaja provokim per te nxitur reagim qe te luftohet nje fenomen teper negativ i perfaqesuar nga nje minorance ekstreme. Ama nqs i njejti autor do bente karikature te Krishtit duke perdhunuar nje femije, une do e quaja racizem dhe thirrje per paragjykim e diskriminim te minoritetit te krishtere ne Egjipt.

Ky diferencim mund te duket absurd po ky eshte rezultat i mungeses se harmonise ne bote dhe tendencat e fundit nuk jane aspak inkurajuese. Ne France duket se te pakten 20% jane raciste te deklaruar, por ne fakt te pakten gjysma e votuesve te Sarkozy jane te tille. Biles ka edhe shume njerez nga klasa punetore qe mund te votoi per partite komuniste ne presidenciale qe jane raciste.

Ne Belgjike, Hollande, Austri, Itali, etj. forcat tipikisht ksenofobe jane tashme te konsoliduara dhe shpesh faktore kryesore ne qeverite e ketyre vendeve.

Per te mos fol pastaj per Serbine, FYROM apo Greqine ku minorance jane 'normalet'.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).