Një nga sëmundjet foshnjore të shtetit shqiptar, e cila vazhdon që nga themelimi i tij, është se Shqipëria bie shpejt në dashuri me shtetet miq të shteteve miq, që ajo ka zgjedhur në periudha të ndryshme të historisë. Këtë ka bërë me miqtë e Jugosllavisë mike, këtë ka bërë me miqtë e Rusisë mike, këtë ka bërë me miqtë e Kinës mike. Këtë po bën sot edhe me miqtë e Amerikës mike. Jo gjithmonë miqtë e miqve na janë sjellë si miq me interesat tona jetike kombëtare dhe një shembull hidhërues po e jep qeveria e sotme izraelite me qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Brenda një muaji, dy ministra të rëndësishëm të kabinetit izraelit erdhën në Ballkan, njeri në Tiranë e tjetri në Beograd, dhe me forcë të madhe paraqitën platformën zyrtare të mbështetjes së Serbisë, për politikën e saj ndaj Kosovës. Më 18-19 korrik ministri izraelit i Sigurisë Publike, Jitzhak Aharonoviç zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd, ku, siç deklaroi vetë në intervistën dhënë agjencisë serbe Tanjug: "Unë veçanërisht theksova pozicionin e vendosur të Izraelit lidhur me Kosovën. Izraeli kundërshton deklarimin e njëanshëm të pavarësisë dhe mbështet Serbinë në këtë drejtim".
Nga qëndrimet, që ministri Aharonoviç parashtroi "në mënyrë të vendosur" gjatë vizitës së tij, dalin tre elementë të platformës së qeverisë së tanishme të Izraelit për Kosovën. Së pari, që Izraeli nuk mbështet deklarimin e njëanshëm të pavarësisë. Kjo pikë mund të justifikohej në një farë mënyre deri më 22 korrik 2010. Por kur më 22 korrik të vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, pra instanca më e lartë juridike e OKB-së, dha verdiktin se deklarimi i ashtuquajtur i njëanshëm i pavarësisë nga Kosova është konform ligjeve dhe të së drejtës ndërkombëtare, gjë që e bën shpalljen e pavarësisë nga shteti i Kosovës një akt legjitim subjektiviteti ndërkombëtar, rezulton krejtësisht i pabazë interpretimi anakronik, që vazhdon të ruajë qeveria e sotme izraelite. Nuk duhet harruar se edhe vetë pavarësimi i shtetit të Izraelit më 1948 ishte një akt i njëanshëm, përderisa Izraeli nuk kërkoi mendimin dhe miratimin e Palestinës apo të shteteve arabe për shpalljen e pavarësisë së tij. Dhe Shqipëria ishte ndër të parat shtete, që e njohu më 16 prill 1949 pavarësinë e shtetit të Izraelit, menjëherë pas kërkesës që ministri i Jashtëm izraelit i asaj kohe, i paraqiti me një letër dërguar ministrit të Jashtëm të Shqipërisë të asaj kohe.
Elementi i dytë është se qeveria e tanishme izraelite e konsideron Kosovën pjesë të integritetit territorial të Serbisë, gjë që shpreh një mbështetje të politikës dhe të pretendimeve koloniale të Serbisë ndaj Kosovës.
Elementi tjetër i platformës së qeverisë së tanishme izraelite për Kosovën është se çështja e Kosovës konsiderohet prej saj ende e pazgjidhur dhe se duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Në fakt, kjo është teza e konsumuar e qeverisë së Serbisë, e cila kërkon të nulifikojë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe të rimarrë koloninë e humbur, duke e nisur nga e para procesin e ezauruar tashmë të bisedimeve për statusin e Kosovës. Çështja e statusit është një dosje e mbyllur, qysh kur për faj të Serbisë dështuan më 2007 bisedimet disavjeçare ndërkombëtare për statusin dhe kur Serbia nuk pranoi planin ndërkombëtar të të dërguarit të posaçëm të OKB-së, ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari, dhe Kosova shpalli me legjitimitet të plotë pavarësinë më 17 shkurt 2008. Shtetin e Kosovës e kanë njohur 76 shtete të botës. Është e rëndësishme për t'u theksuar se Kosovën e kanë njohur shtetet, të cilët janë aleatët strategjikë dhe miqtë kryesorë të Izraelit, siç janë SHBA-ja dhe shumica dërrmuese e shteteve perëndimore të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
Qëndrimi obstruksionist i qeverisë së sotme izraelite ndaj Kosovës, të habit sidomos me antitezën e saj me SHBA-në, që janë shteti faktor kryesor, që ka ndihmuar Kosovën të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të krijojë shtetin e saj të pavarur, dhe SHBA-ja është shteti i cili, mund të thuhet me gojën plot, se është aleati më i madh i Izraelit dhe garantuesi i ekzistencës së vetë Izraelit. SHBA, jo vetëm e ka njohur Kosovën, por ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. E parë në këtë optikë, është tepër e vështirë të pranosh shpjegimet se përse qeveria aktuale izraelite vazhdon me kaq këmbëngulje të mos e njohë Kosovën. Siç është jashtë çdo norme marrëdhëniesh normale shtetërore cinizmi diplomatik i ministrit të Jashtëm izraelit Avigdor Lieberman, që deklaroi muajin e kaluar në Tiranë se Izraeli do ta njohë Kosovën pasi ta njohë Qipro. Sipas kësaj logjike, për qeverinë e tanishme të Izraelit, SHBA-ja vlen më pak se Qipro. Dhe që mosnjohja e Kosovës nga qeveria e sotme izraelite nuk është çështje parimesh, e provoi ministri izraelit i Sigurimit Publik Aharonoviç, i cili në Beograd e përdori mosnjohjen e Kosovës si një monedhë shkëmbimi për votën e Serbisë në OKB në muajin shtator kundër Palestinës. Disa interpretime, që bëhen në Tel Aviv se qeveria izraelite i trembet precedentit dhe se pavarësimi i Kosovës mund të vështirësojë bisedimet e saj me Palestinën, nuk duket se kanë një bazë. Së pari, çështja e Palestinës nuk ka asnjë lidhje me çështjen e Kosovës dhe diplomacia amerikane dhe europiane kanë afishuar në shkallë ndërkombëtare se Kosova përbën një rast të llojit të veçantë, pa asnjë lidhje me konfliktet apo debatet në rajone të tjera të botës. Së dyti, që Palestina do të bëhet shtet, këtë e ka pranuar edhe Uashingtoni me formulën e tij të dy shteteve, të cilën e ka konfirmuar së fundmi edhe Presidenti Barak Obama. Së treti, qeveria izraelite nuk do të ndikohet nga ajo që ndodh në Ballkan, për të formuluar politikën e saj në Lindjen e Mesme. Me një fjalë, është jashtëzakonisht e vështirë të tregohet edhe mirëkuptimi më minimal për mosnjohjen e Kosovës nga Izraeli.
Duke parë këtë platformë të qeverisë aktuale izraelite, dalin dy përfundime. Së pari, që qeveria izraelite nuk ka vullnet politik dhe nuk do ta njohë Kosovën, dhe së dyti, që qeveria aktuale izraelite, mes Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s, dhe një aleat i ngushtë i SHBA, dhe Serbisë, që nuk është anëtare e NATO-s, por një armike e NATO-s, ajo ka zgjedhur Serbinë.
Çështja, që po analizojmë, është shumë më e thellë se sa një numër më tepër në listën e shteteve, që kanë njohur Kosovën. Shqipëria është anëtare e NATO-s, një aleancë, e cila bazohet në solidaritetin kolektiv ushtarak të anëtarëve të saj, i sanksionuar në nenin pesë të Traktatit të Atlantikut Verior. Kjo do të thotë se, nëse nesër Izraeli hyn në një luftë me Iranin apo me ndonjë shtet tjetër të Lindjes së Mesme dhe në këtë konflikt implikohet edhe shteti garant kryesor, që mban në këmbë Izraelin, pra SHBA, edhe Shqipëria do të jetë e detyruar të përfshihet në një konflikt të mundshëm, rreshtuar me Izraelin. Gjë që nuk mund ta thuash për Serbinë. Kjo rrethanë strategjike, me siguri që është e njohur nga qeveria e sotme izraelite, e cila vazhdon të mbajë këtë qëndrim mospërfillës ndaj interesave jetike të kombit shqiptar.
Sepse Kosova është interes jetik, strategjik dhe kombëtar i shtetit të Shqipërisë dhe i kombit shqiptar dhe qëndrimi ndaj Kosovës është gur prove për politikat, që shtetet e ndryshme ndjekin në raport me Shqipërinë dhe me kombin shqiptar. Është e njohur se çfarë qëndrimi të veçantë human kanë mbajtur Shqipëria dhe kombi shqiptar në kohërat e vështira të terrorit nazist ndaj hebrenjve, që jetonin në Shqipëri dhe në Kosovë. Kombi shqiptar është ndoshta i vetmi në Ballkan, që nuk dorëzoi asnjë hebre për në kampet e shfarosjes dhe i takon një mirënjohje historike dhe shtetërore. Por, nuk mund të mos bëjë përshtypje që, ndërsa në Shqipëri botohen njeri pas tjetrit libra nga autorë shqiptarë se "si shqiptarët shpëtuan hebrenjtë", statistikat nuk të japin tituj librash të shkruar nga autorë të shtetit të atyre, që shqiptarët i shpëtuan. Ndërsa, ministrat e Jashtëm dhe kryeministrat e të gjitha qeverive shqiptare, që nga viti 1991 e deri në ditët tona, kanë vrapuar të gjithë njeri pas tjetrit për vizita zyrtare në Izrael, ministrit të jashtëm izraelit iu deshën 17 vjet që të vijë në Shqipëri. Dhe erdhi vetëm nga nevoja për të kërkuar votën e Tiranës kundër Palestinës në OKB në shtator. Nëse një shtet nuk denjon të çojë për 17 vjet me radhë ministrin e Jashtëm në shtetin e vetëm ballkanik, që ka shpëtuar hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore, kjo do të thotë se, për arsye shtetërore, duhet reflektuar ndaj një dashurie shtetërore të pakthyer. Platforma e qeverisë së tanishme izraelite për mosnjohjen e Kosovës dëshmon se në politikën dhe në qëndrimin ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe ndaj kombit shqiptar, ajo qeveri udhëhiqet nga paragjykime të një natyre, nga të cilat hebrenjtë kanë vuajtur aq shumë dikur.

1 Komente

 Asnje shtet qe ka probleme minoritetesh, (perfshi ketu edhe Izraelin) nuk ka per ta mbeshtetur kurre Kosoven. Eshte si te presin degen ku jane ulur. Me nje llaf, po beme gje kesaj here duhet ta bejme pa menduar ne mbeshtetje. Ne mos, ha e hesht.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).