Intervista e liderit të opozitës së një vendi, në periudhën kur ai flet pak dhe për më shumë pritej prej tij një aksion i fortë politik, meriton vëmendje. Me qëllim, pardje dukej se lideri i opozitës sonë kishte zgjedhur një formë më të menduar komunikimi, siç ishte intervista në shtypin e shkruar. Një intervistë e tillë përgatitet më me nge dhe  në rastin konkret dukej se ishte studiuar të ishte me karakter programatik. Por edhe të jepte një shpjegim shterues për disa momente të së kaluarës së partisë që ai ka drejtuar. Katër elementë kryesorë mund të shquaje në atë intervistë. Së pari, qëndrimi i ri ndaj faktorit ndërkombëtar. Mund të thuhet përfundimisht se kjo intervistë së bashku me veprimin e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës shënonte një pajtim të  zotit Rama me faktorin ndërkombëtar. A është përfundimtar ky lloj pajtimi? D.m.th, a vjen ky si pasojë e bindjes së palëkundur të këtij politikani se me ndërkombëtarët, veçanërisht disa lloj ndërkombëtarësh, nuk mund të luhet në disa çështje? Ka një element që kjo qasje të ngjajë si përfundimtare. Nëse kishte situatë në të cilën Rama, sipas optikës së vet, mund të vinte në jetë
një veprim agresiv opozitar gjatë këtyre viteve që po drejton opozitën, ishte pikërisht kjo, kur sipas tij fitorja e liderit të opozitës u vodh në tavolinë,
pra viktima ishte e shquar, pikërisht ai vetë. Por Rama, pikërisht në një situatë të tillë, zgjodhi rrugën paqësore. Gjithçka mbetet për t’u parë,
por pozicionimi që buronte prej intervistës, fjalët ndaj ndërkombëtarëve ishin thellësisht korrekte dhe premtonin sintonizim të veprimit politik të
opozitës me ndërkombëtarët. Rama duket se ka zgjedhur kështu rrugën
paqësore të zgjidhjes së konfliktit politik. “Fjalia e zgjedhur për titull, “nuk e djegim Shqipërinë, pse Berisha vodhi pushtetin”, megjithëse patetike,
është shprehëse elokuente e qasjes së re të Ramës. Ai premton protesta, por as vetë nuk e di se kur, diçka që nuk ka ngjarë më parë me Ramën, në situata përafërsisht të ngjashme. Ky është mesazhi i dytë i intervistës së Ramës; jo  radikalizmit.
Por, a ka hapësirë për zgjidhje të konfliktit politik në Shqipëri brenda institucioneve që radikalizmi të ngjajë i padobishëm? Zgjedhjet e fundit treguan në kurriz të Ramës, por jo vetëm të tij, se kjo hapësirë në këtë panoramë institucionale është e vështirë, madje e pamundur. Ato
dëftyen në mënyrë elokuente se ndryshimet kushtetuese, që Rama inicioi së bashku me Berishën, apo më keq akoma i shkëmbeu naivisht me një Kod të shkruar vetë e që dështoi në praktikë, ishin parathënia e rrënimit të shtetit tre vjet me radhë. Ato ndryshime në Kushtetutën e 1998- s goditën shtetin në shtyllën kryesore të tij, që ra pikërisht me vendimin e fundit të Kolegjit. Ato
asgjësuan atë aleancë natyrale midis institucioneve kryesore të shtetit, me mandat më të gjatë se Ekzekutivi, si Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm,
krerët e gjykatave kryesore etj., që i bënte oponencë të brendshme Ekzekutivit dhe që kontribuoi fuqishëm në rrëzimin e Nanos apo dhe
dobësimin e Berishës në mandatin e parë. Kjo aleancë farkëtohej prej mënyrës së emërimit, zgjedhjes dhe shkarkimit të këtyre figurave institucionale, ku Presidenti ishte figura kyçe. Pikërisht ajo aleancë u shkërmoq falë ndryshimeve kushtetuese dhe presioneve të forta që në
këto 3 vjet Ekzekutivi ka zhvilluar mbi pushtetet e pavarura në Shqipëri, veçanërisht në raste të tilla si hetimet për Gërdecin, për rrugën Durrës-
Kukës, për 21 janarin etj. Rama pa në periudhën paszgjedhore sesi me duart e veta kishte shkatërruar garancitë e funksionimit të shtetit, të cilat do t’i duheshin për t’i dhënë drejtësi në rastin e Tiranës pikërisht atij. Presidenti s’kishte më kompetenca në KQZ; KQZ-ja ishte bërë shpifshmërisht partiake; Prokurorja e Përgjithshme e ka mandatin 5 vjet dhe për pasojë kuraja
e saj për t’u përplasur e vetme me Ekzekutivin, është e kufizuar, gjyqtarët e të gjitha niveleve ishin të tmerruar apo të blerë etj., etj. Ishin këto pasojat kryesore të ndërmarrjes antishtet të të dyja forcave kryesore politike. Në rrethana të tilla, asnjë gjyqtar me dinjitet dhe profesionist nuk do t’i rezistonte presionit të partisë-shtet, dhe jo më disa gjyqtarë Apeli rrethesh, të cilët i kishte zgjedhur vetë PS-ja në një skemë të çuditshme. Me Kushtetutën e pandryshuar, do të ishin këto institucione që në emër të ruajtjes së pavarësisë së tyre, të ruajtjes së ekuilibrave
të shtetit, do ta pengonin qeverinë të manipulonte rezultatet zgjedhore dhe rregullat e lojës, duke hyrë në një aleancë të pashpallur me opozitën.
Të kërkosh sot rikthimin e Kushtetutës në gjendjen e mëparshme, ngjan utopi, megjithëse në këtë utopi Rama duket se ka me vete faktorin ndërkombëtar- kujto qëndrimin e Bashkimit Europian mbi ndryshimet kushtetuese. Ngjan se ky rikthim është pjesë e pazarit të ofruar prej këtij faktori e që mund të ketë përcaktuar paqësimin e Ramës, pra largimin e tij prej rrugëve radikale. Ky ishte momenti i tretë që rezulton nga kjo intervistë.
Dhe, më në fund, një moment i katërt: riorganizimi i së majtës. Rama ngjan se jep shpresë për këtë riorganizim, por s’ofron ide të qarta. Dhe, meqenëse në intervistë shpalli dëshirën që të dëgjojë tash e tutje, atëherë ja disa ide modeste. Ky riorganizim mund të kalojë nga tre rrugë. Së pari, nga zgjerimi i demokracisë në PS dhe hapja e saj për ato figura që Rama jo largpamësisht
i mënjanoi gjatë këtyre viteve. Së dyti, riorganizimi i së majtës në formën e një federate të drejtuar nga një figurë tjetër pajtuese, e cila nuk do t’i kërcënonte atij vendin e Kryeministrit të ardhshëm, por me reputacion më të
madh sesa ai. Dhe së treti, në kuadrin e ndryshimeve të vërteta kushtetuese apo të sistemit politik në Shqipëri, jo arnimeve, ky sistem duhet
hapur. Duhet goditur bipolarizmi që kanë krijuar dhe konsoliduar në 20 vjet krerët kryesorë të politikës në Shqipëri, Berisha, Nano dhe Rama. Kur e majta dhe e djathta zyrtare kanë diferencë kaq të vogël votash, si në ballafaqimet
e fundit, atëherë sistemi duhet t’i përziejë kartat dhe të fusë në lojë karta të reja. Duhet krijuar mundësia që në skenë të hyjnë dhe subjekte të tjera të reja partiake, si kudo në Lindje, ku në këtë skenë ka më shumë sesa dy parti
kryesore. Nga futja në lojë e subjekteve të reja, dhe elektorati do të tentojë të rigrupohet. Dhe në fund, një konsideratë përmbledhëse. Ndryshimet e parathëna në këtë intervistëbraktisja e rrugës radikale, rikthimi i Kushtetutës
në parametrat normalë, riorganizimi i partisë, vetëdenoncojnë një mungesë të fortë koherence dhe largpamësie te kreu i opozitës. D.m.th, ai nuk ka ditur të parashikojë ato zhvillime afatshkurtra institucionale, politike dhe
partiake që do ta favorizonin dhe është luhatur shumë në këto 3-4 vjetët e fundit. Mëkat i madh, ishalla i fundit.

2 Komente

Ore kot me ju pyt, ça ka be ky Rama qe u bene ca dite i bijne te gjithe?

 Nuk ka bere asgje,eshte po ai qe ishte por,por,por,nuk eshte me Kryetar Bashkie dhe si rrjedhoje eshte nje hic tani dhe po ishe hic dhe Kokedhima dhe Nazarko qe deri dje mbijetonin prej tij,sot te kthejne krahet,dhe te thone: ZOTI RAMA ti je nje HIC qe nuk ta ka me njeri nevojen!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).